Skandal në Rusi: Çerçesovi, para për lojtarët në përfaqësuese?!

Në opinionin publik sportiv rus është ngritur një “pluhur i madh”, qëkur gazetari dhe komentatori sportiv i njohur, Vasilij Utkin,akuzoi publikisht trajnerin e kombëtares ruse, Stanislav Çerçesov, se ai ka marrë para që të përfshijë disa lojtarë në përfaqësuese. Utkini pretendon se Çerçesovi së bashku me agjentin e futbollit, Allan Azarov, që të sigurojnë përfitime financiare, kanë futur në përfaqësuesen ruse disa futbollistë, me qëllim që t’ua ngrejnë atyre çmimin në tregun e transferimeve dhe të dy të lartpërmendurit të ndajnë bashkërisht fitimet e siguruara.

Utkini sjell dy shembuj: njëështë futbollisti Aleksandër Tashajev që nuk ka luajtur asnjë minutë me përfaqësuesen ruse dhe që bënte pjesë në listën e zgjeruar të Çerçesovit për Botërorin 2018. Shembulli tjetër është futbollisti Konstantin Raush. Të dy këta futbollistë, mbas Botërorit, ndërruan klubet (Tashajevi nga Dinamo e Moskës shkoi te Spartaku i Moskës, kurse Raush nga Këlni shkoi te Dinamo e Moskës), kështu që Çerçesovi dhe Azarovi ndanë njeri me tjetrin tre milionë euro që u siguruan nga shitblerja e tyre.

Sfidanti.al