“Sikur thanë se Barcelona nuk interesohet për Kupën”!

Tani u fshi çdo dyshim. Pavarësisht zgjedhjeve të trajnerit Ernesto Valverde, Barcelona nuk ka ndërmend të tolerojë asnjë kompeticion të sezonit. Humbja e çerekfinales së parë, 0-2 në Sevilje, u zhduk me një “remontada” 6-1, ku në formacion ishin kthyer Mesi e Suarezi.

“Njerëzit kishin nisur të thoshin se ne nuk e dëshironim kupën këtë vit, – tha Mesi, me një vërejtje, – këtu tek Barcelona, ne luftojmë gjithnjë, për gjithçka”. Mediat spanjolle nuk ngurruan të theksonin se ky ishte një mesazh për Realin, se katalanasit nuk do t’ia bëjnë “autostradë” në Kupën e Mbretit, për t’u përqëndruar në La Liga dhe në Champions.

Pozitat e “blaugranëve” janë shumë të mira, për momentin, pesë pikë përpara në kampionat, në gjysmëfinale të Kupës, dhe në garë për Championsin, pa asnjë humbje deri tani.

Ndaj Seviljes në “Kamp Nou” ishte edhe ndeshja e Kutinjos, që më në fund shkëlqeu dhe shënoi dy gola. Ishte edhe ndeshja kur më shumë se kurrë brazilianin Artur e krahasuan me Ksavin, ndërsa mungesa e Dembelesë nuk u ndje. Ishte edhe ndeshja kur Barça tregoi se di të luajë “tiki-taka”, siç ndodhi në rastin e golit të gjashtë, shënuar pikërisht nga Mesi.

Argjentinasi ka tyani 590 gola në total me klubet (me Barcelonën), ndonëse 11 janë në kategorinë e tretë me Barcelonën C dhe në kategorinë e dytë me Barcelonën B. Me të rriturit, ka 579.

Sfidanti.al