Sa shumë kritika nga tifozët për Strakoshën pas humbjes me Milanin!

Portieri shqiptar vlerësohet si një nga më të mirët e Serisë A dhe të Europës, por ja që ka ndeshje ku edhe ai gabon dhe sulmohet. Tifozët e Lacios ishin shumë të acaruar me Tomas Strakoshën, i cili pësoi 3 gola nga Milani, edhe pse tek i treti që shënoi Rebiç nuk pati asnjë faj dhe asnjë diskutim. Për golin e parë, u kritikua se kishte dalë shumë nga porta, pavarësisht se topi i gjuajtur nga Çalhanoglu u devijua nga një lojtar i Lacios. “Duket se Strakosha ishte ulur në lokal dhe po priste ujin mineral pas kafesë”, – shkruan një tifoz në rrjetet sociale.

“Më kundërshtoni po deshët, – shkruan një tjetër, – Strakosha bën gabime të pabesueshme, në golin e parë ishte 2 metra para vijës së portës, dhe topi i kaloi pak mbi kokë”. “Strakosha bën shumë pak gabime në karrierë, por ato që bën janë vendimtarë dhe në ndeshje të mëdha”, shkruan një tifoze laciale. “Nuk mundem më që të gjej justifikime për Strakoshën, – shkruan një femër tjetër, – më në fund e thashë”! Te goli i dytë, me penallti nga Ibrahimoviç, Strakosha e kupton krahun, e prek edhe topin, por duket se nuk arrin ta largojë nga porta, madje mund të mendohet se është fajtor që e fut në rrjetë. “Teknikisht, është autogol i Strakoshës”, – shkruan një tifoz.

Sfidanti.al