Roveshatë, dy të kuq, i verdhë me qëllim dhe gol i Mesit!

Ky fakt i fundit nuk do të kishte marrë asnjë rëndësi, pasi një rrjetë e “magjistarit” nuk përbënte ndonjë lajm i rëndësishëm. Lionel Mesi i kishte mësuar keq njerëzit, duke shënuar nga 50 gola çdo sezon, dhe në një vit nuk mund të ketë 50 lajme të rëndësishme, kaq i rëndomte u bë ky rit. Gjithsesi, këtë edicion është ndryshe pasi jemi në 7 tetor dhe më në fund kapiteni i Barcelonës gjeti rrjetën e tij të parë. Dëmtimet e penguan seriozisht, ndërsa pyetja është se cili do të jetë rendimenti i “Pleshtit” deri në maj?

Barcelona, ndërkaq, u lumturua për golin e më të mirit, por sidomos për fitoren 4-0 ndaj Seviljes që e ngjiti në vendin e dytë në La Liga, vetëm 2 pikë prapa Realit, e me golaverazh më të mirë sesa skuadra e Zidanit. Në “Kamp Nou” ishte mbrëmja e të veçantave. Luis Suarez shënoi me roveshatë, dy lojtarë vendas dolën me të kuqe minutat e fundit, Dembele dhe Ronald Arauho, po ashtu Gerard Pike mori të verdhën që e lë jashtë ndeshjes së radhës, dhe që i garanton “El Klasikon” ndaj Realit. “Gojët e këqija” (si gazeta “Marka, për shembull) thonë se Pike e mori të verdhën me qëllim …

Sfidanti.al