Provokim për Mekgregorin nga pretendenti rus për fronin!

Konor Mekgregor vazhdon pushimet e tij pas ndeshjes ndaj Flojd Mejuedhërit, ndërsa në kampionatin botëror UFC të arteve të përziera marciale ka ngjarje interesante. Njëra prej tyre ishte fitorja absolute e luftëtarit nga Dagestani, Habib Nurmagomedov, i cili lufton për flamurin e Rusisë, duke qenë Dagestani pjesë e Federatës Ruse.

Nurmagomedov mposhti bindshëm Edson Barbozën në UFC 219 në Las Vegas, në peshën deri 70 kg, dhe më pas postoi një foto provokuese të përpunuar, ku ai paraqitej duke kalëruar një ari, ndërsa Mekgregori duke ikur me vrap. Shumëkush në botën e MMA-së mendon se Nurmagomedov ka aftësinë për ta mposhtur irlandezin, ndonëse ky i fundit u përgjigj po me provokim: “Unë i vras kafshët e tua dhe lëkurën e tyre e përdor për gunë”.

Vetë Mekgregor i ka rritur pretendimet pas fitimeve të mëdha në ndeshjen e boksit ndaj Mejuedhërit. Ai nuk ngurroi të postojë këtë mesazh aspak fisnik për UFC-në: “Me të vërtetë, duhet të bini në gjunjë dhe të më luteni, ndryshe nuk çaj “b…” për ju, nëse do të bëni ofertën që unë vlej, atëherë kthehem”.

Sfidanti.al