President ambientalist dhe një klub vegan, ja suksesi i fundit në Angli!

Klubi quhet Forest Grin Rovers, dhe është më i vogli në vendin ku lindi futbolli. Është gjithashtu më “green”, pra më ambientalisti në botë, pa asnjë dyshim, ndërsa presidenti i tij është një njeri i lirë në epokën e “Big Brotherit”. Dejl Vins (Dale Vince) është një personazh vërtet i veçantë, me një karakter tepër të fortë, dhe që në rininë e tij kishte motiv këngën e “Pink Flojdëve” (Pink Floyd), “Një tjetër tullë në mur” (Another brick in the ëall). Anglezi 55-vjeçar mezi priti të largohej nga “burgu” i shkollës dhe të bënte atë që ndjente si më të mirën për veten e tij.

Një ambientalist, por edhe milioner, binom që jo shpesh krijohet, Dejli ka veshje lëkure (imitacion) dhe xhinse, ndërsa udhëton me një motoçikletë të fuqishme, që përdor energjinë elektrike. Ai themeloi kompaninë “Ekotrisiti” (Ecotricity), që sot vlen mbi 100 milionë paund stërlina dhe është pionier në çështjet mjedisore.

Vins u bë president i Forest Grin Roversit në vitin 2010, dhe majin e kaluar, pas 7 vitesh, skuadra fitoi plej ofin e kampionatit amator të Konferencës, për t’u ngjitur në Ligën Profesioniste të Futbollit, ku natyrisht do ta nisë nga kategoria e katërt. Forest Grin Roversi, si shumica e klubeve anglezë të futbollit, është i vjetër, i themeluar 128 vjet më parë (1889), por e gjitha “jeta” e tij ishte tek amatorët, dhe nuk mund të ishte ndryshe për ekipin e një qyteti me 5 mijë banorë. Kjo, derisa erdhi Vinsi.

Stadiumi “Nju Loun” (Neë Laën) ka fushën e parë organike në botë, në të cilën nuk është përdorur asnjë material kimik, e gjitha kjo sipas parimeve mjedisore të presidentit. Energjia në stadium sigurohet nga panelet diellore, madje me të punon edhe korrësja e barit që është vetëlëvizëse dhe nuk ka nevojë për punëtor. Padyshim, ky është një hap drejt së ardhmes, kur të gjithë njerëzit nuk do të kenë nevojë të bëjnë punë “të rëndomta”, por të jenë të gjithë intelektualë, pra elitë.

Ushqimi në Forest Grin Rovers është plotësisht vegan, dhe besohet se kjo ka ndihmuar jo pak këta 7 vjet, duke sjellë shumë pak dëmtime. Vins shprehet se tifozët mund të marrin ushqim si të duan nga shtëpia, dhe po ashtu lojtarët mund të ushqehen si të duan jashtë klubit. Synimi i tij është që skuadra të ngjitet deri në kategorinë e dytë, Championship, por padyshim duhet ndërtuar një stadium i ri.

Sfidanti.al