“Premier Liga shkëlqen, por futbolli anglez po falimenton”

Nëse sheh çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, opinioni për klubet e Premier Ligës nuk ka si bëhet më i mrekullueshëm. Katër skuadra nga 8 janë prej Anglie, ndërsa konkurrenca në kampionat është e shkëlqyer, me Mançester Sitin e Liverpulin për titull, si dhe Totenhemin, Mançester Junajtidin, Arsenalin e Çelsin për Championsin.

Gjithsesi, nëse do të pyesësh biznesmenin Andi Holt, pronar i aksioneve të klubit Akrington Stenli në kategorinë e tretë, gjendja e futbollit anglez, poshtë Premier Ligës, është dramatike. “Më keq se tani nuk ka qenë kurrë, – tregon ai, – pronari i Derbi Kauntit, Mel Morris, po humbet 3 milionë paund në muaj, dhe po përpiqet ta shesë klubin. Shumica e klubeve janë në prag të falimentimit”.

Holt bën fajtor sistemin e ndarjes së parave të së drejtës televizive, që në kategorinë e dytë është 3-4 milionë paund stërlina në vit për Lids-Derbi, ndërsa në Premier Ligë është 100 milionë paund, për Hadërsfild-Fulham. “Vetëm 3 skuadra ngjiten në Premier dhe ato marrin pjesën e luanit nga e drejta televizive, 300 nga 400 milionë paund, ndërsa pjesa tjetër e ekipeve nuk ngjiten dot, dhe ata marrin “thërrimet”. Duhet ndarje më e mirë e fondeve”.

Boltoni i shpëtoi falimentimit këtë mesjavë, por kjo vetëm për momentin, pasi borxhet janë aty.

Sfidanti.al