Nurmagomedov fiton dhe e mbyll me sportin: Nuk luftoj pa babanë!

Fitorja ishte e madhe dhe e merituar, ndaj një kundërshtari të fortë si Xhastin Geçji (Gaethje). Habib Nurmagomedov e mbylli me sukses edhe betejën e radhës në oktagon, në kampionatin botëror të arteve të përziera marciale, UFC, dhe bashkë me të, mesa duket mbylli edhe karrierën. Fitorja ishte me dominim madje që në raundin e dytë, dhe mënyra njëlloj si ajo ndaj Konor Mekgregorit, me shtrëngim të fytit me krahun e tij. Me t’u mbyllur luftimi, dagestanasi u ul përtokë, me fytyrë nga tapeti, dhe derdhi lot për humbjen e babait të tij, Abdulmanap, që vdiq i sëmurë me koronavirus.

“Ju falenderoj djem që ishit me mua, dhe me babai tim, për më shumë se 10 vjet, – tha Habibi 32-vjeçar, – ju dua të gjithëve shumë. Sot dua t’iu them se kjo ishte ndeshja ime e fundit. Në asnjë mënyrë që të vij këtu pa babain. Kur UFC-ja më propozoi ndeshjen ndaj Xhastinit, fola me nënën . Ajo nuk deshi që unë të luftoja pa babain, dhe unë i thashë se ky do të ishte luftimi im i fundit. Unë i premtova. E vetmja gjë që dua nga UFC-ja është që të më cilësojë si luftëtarin më të mirë “kile për kile”, më të madhin në botë. Mendoj se e meritoj. Ju falenderoj të gjithëve. Të falenderoj Xhastin. Unë e di se ti je një luftëtar i madh, dhe se kujdesesh për familjen. Qendroji afër prindërve sepse nuk mund ta dimë se çfarë mund të ndodhë nesër. Unë e realizova ëndrrën e babait. Xhastini dhe Konori do të ndeshen në janar, por unë nuk jam i interesuar më”.

Sfidanti.al