Një slloven vesh Fanelën Rozë në startin e Xhiros së Italisë

Një garë 110-vjeçare nuk mund të quhet ndryshe përveçse historike. Po ashtu klasike. E tillë Xhiroja e Italisë, e filluar në 1909 si mënyrë për të rritur shitjet e “La Gazeta delo Sportit”, e kthyer në një nga dy klasiket më të mëdha të botës në çiklizëm, e lënë pas vetëm nga Turi i Francës. Kjo garë e jashtëzakonshme nisi dje dhe etapa e parë, një kronometër individual prej vetëm 8 kilometrash, u fitua nga slloveni Primoz Rogliç.

Ai dha kohën 12’54”, që mund të quhet një rekord. Pas tij, britaniku Sajmën Jejts me 19 sekonda më shumë, dhe italiani Vinçenco Nibali me +23”. “Edhe tre vjet më parë isha pranë veshjes së fanelës rozë, – tha Rogliç pas garës, – e kam pritur shumë gjatë këtë bluzë, më në fund po e vesh”. Etapa e dytë, nga Bolonja në Fuçekio, është kodrinore dhe me gjatësi 205 km.

Vitet e fundit, për fat të keq, Turi i Francës ka marrë gjithnjë e më shumë rëndësi, dhe Xhiroja e ka ndjerë fort, me shumë nga çiklistët kryesorë që nuk duan të marrin pjesë në të, për të mos u rraskapitur përpara garës franceze. Gjithsesi, herë pas here, ka përjashtime, siç ndodhi vjet kur fitoi britaniku i famshëm, Kris Frum. Sidoqoftë, asgjë nuk mund të krahasohet me të kaluarën, kur rekordmenë u bënë legjendat Edi Merks, Fausto Kopi apo Alfredo Binda, me nga 5 Xhiro të fituara secili.

Sfidanti.al