Nga Bundesliga, kritikë për Lëvin: Radikalizëm i panevojshëm!

Gjermania luan me Holandën në eleminatoret e Europianit, dhe trajneri i saj, Joakim Lëv, merr një kritikë pikërisht nga një holandez … i Bundesligës. “Fshikulluesi” i tij është Hub Stevens, trajneri i ri i Shalkes, që e vlerëson të gabuar “transfuzionin” e bërë në kombëtaren gjermane.

“Për mua, – tha Stevensi, – kjo që bëri Lëvi ishte një radikalizëm i panevojshëm. Është normale që të ketë një diferencë mes dy brezave, por trajneri duhet të gjykojë me mendje të ftohtë. Është e nevojshme që të ketë një përzierje të rinisë me përvojën”. Holandezi 65-vjeçar e quan, pra, të gabuar largimin nga kombëtarja të Humelsit, Boatengut dhe Mylerit.

“Gjermania ka një problem luksi, – tha ai, – nëse kjo situatë do të ishte në Holandë, veteranë si Roben apo Snejder do të duhej të luanin në kombëtare deri në moshën 33 vjeç, pasi pjesa tjetër e skuadrës do të cilësohej si shumë pa përvojë”.

Sfidanti.al