NBA, Leonard hyn në histori në fitoren e Klipersave

Është që tani dy herë kampion, vetëm një herë më pak se Lebron Xhejmsi, por padyshim që kërkon më shumë. Koui Leonard, dhe pse jo i vlerësuar për të qenë më i miri yll i epokës, sërish nuk heq dorë dhe vendosi një rekord në ndeshjet e fundit në NBA. Shënoi 43 pikë në vetëm 28 minuta, duke u bërë i pari lojtar në historinë e Los Anxhelos Klipersave që arrin në më shumë se 40 pikë në më pak se 30 minuta.

Jo vetëm kaq, por sipas statistikave në Shtetet e Bashkuara, Leonardi u bë i treti lojtar për të gjitha kohët, që shënon të paktën 43 pikë në më pak se 29 minuta. E gjitha kjo flet vetë për talentin dhe përgatitjen e basketbollistit nga Kalifornia. Klipersat, falë tij, e shpartalluan pa shumë problem Klivlendin me rezultatin 128-103.

Leonardi nuk është se u lodh shumë me kontribut tjetër, duke kapur vetëm 3 topa në tabela e duke dhënë 4 asiste, por kjo ishte normale përderisa ai luajti pak. Shpesh Klipersat e kanë kursyer yllin e tyre, për ta pasur në formë sa më të mirë për gjysmën e dytë të sezonit, por sidomos për plej ofin, pasi synimi i vetëm i klubit është titulli në NBA.

Leonardi u shpall fillimisht kampion me San Antonion, duke shkëlqyer në një ekip me yje si Dankën apo Parker. Po ashtu, ai triumfoi vjet, kur në udhëheqje të Torontos shkaktoi të papriturën e madhe duke mundur Golden Stejtin në finale. Edhe pse, Klipersat janë vetëm në vendin e katërt në Perëndim, me 6 humbje më shumë sesa Lejkërsat e Lebron Xhejmsit, ata e dinë se me Leonardin mund të arrijnë gjithçka.

Sfidanti.al