Modestia e Perezit: Gjithçka e trashëgova nga Di Stefano e Bernabeu!

Tek Juventusi ishte (dhe është) familja Anjeli dhe fuqia historike e Piemontit. Mançester Junajtid pati “profetë” Sër Mat Basbin dhe Sër Aleks Fergusonin, Liverpuli e pati “gjenezën” tek Bill Shenkli e pastaj tek Bob Pejsli, ndërsa Bajerni tek presidenti Nojdeker, tek të mëdhenjtë kroatë (jugosllavë në atë kohë) të stolit Çajkovski e Branko Zebec, si dhe tek treshja magjike në fushë, Majer-Bekenbauer-Myler.

Po Reali i Madridit? Ata që e ndjekin futbollin me pasion në ditët e sotme, natyrisht, që veçojnë emrin e Florentino Perezit, presidentit të fuqishëm të 17 viteve të fundit (me një ndërprerje), që kaloi shumë vuajtje, por që sot po shijon triumfet më të mëdha. Nën drejtimin e tij Reali fitoi 3 Champions në 4 sezonet e fundit, si dhe 4 Champions gjithsej, ndërsa ka fituar edhe shumë trofe të tjerë.

Gjithsesi, Perez është treguar modest në intervistën e fundit dhënë për “Foks Deportes”. “Unë nuk kam asnjë meritë tek Reali, – tha ai, – pasi gjithçka e kam trashëguar nga dyshja Alfredo Di Stefano-Santiago Bernabeu, që e përhapën emrin e Realit nëpër botë”. E vërtetë, pasi që nga vitet 50-të, Madridi u bë klubi më i madh, por natyrisht modestia është e tepruar, pasi Perez megjithë gabimet, ka merita të mëdha.

Sfidanti.al