Mesi e Ronaldo së bashku tek Barcelona? Do të ishte si dyshja e ëndrrave Pele-Maradona!

Gjatë gjithë karrierës kanë qenë më shumë se rivalë. Lionel Mesi e Kristiano Ronaldo kanë përfaqësuar kulmin e sfidës në futbollin modern, një dominim i nisur që prej 12 vjetësh, e që duket sikur nuk njeh fund. Gjithsesi, edhe kundërshtarët më të mëdhenj mund ta quajnë një ditë njëri-tjetrin “i dashur armik”, dhe saktësisht të luajnë në një skuadër.

Kjo skuadër mund të jetë pikërisht Barcelona, pasi mediat britanike dhe ato katalanase njoftuan se Kristiano mund të kalojë në “Kamp Nou”. Sipas këtyre lajmeve, agjenti i portugezit, Zhorge Mendes, po i ofron klientin e tij klubit katalanas për të krijuar dyshen më të madhe në historinë e futbollit botëror. Mesi e Ronaldo krah për krah do të ishte njëlloj sikur të mund të luanin së bashku Pele e Maradona, diçka e jashtëzakonshme për futbollin si sport dhe si biznes.

Ronaldo, sipas këtyre lajmeve, nuk ka besim se mund ta fitojë Championsin tek Juventusi, pas eleminimit që ndodhi nga Lioni. Po ashtu, thuhet qe klubi italian shpreson që të shpëtojë nga rroga e tij prej rreth 31 milionë eurove në sezon, por nuk sqarohet sesi mundet Barcelona të përballojë diçka të tillë në krizën e koronavirusit. Gjithsesi, vetë Mesi do të ishte i lumtur me Ronaldon në krah, pasi superylli argjentinas do të rriste shanset për të fituar Championsin, ndonëse kjo do të garantonte që ai të mbetej prapa CT7-ës për numrin e trofeve të tillë.

Sfidanti.al