Man. Junajtid-Liverpul, barazim që kënaq vetëm … Çelsin!

Nuk pati fitues në “Old Traford”, edhe pse vetëm për pak mund të kishte qenë Liverpuli. Të kuqtë morën një rezultat që mund të quhet pozitiv në fushën e Mançester Junajtidit, veçse që kënaqi më shumë Çelsin kryesues sesa dy skuadrat. Formacioni i trajnerit Jurgen Klop kaloi në epërsi që në fillim, kur Pol Pogba preku topin me dorë në zonë dhe Xhejms Milner shënoi nga pika e bardhë në 27’.

“Djajtë e kuq” reaguan në pjesën e dytë duke luajtur më mirë, duke ushtruar presion dhe duke pasur raste me Zllatan Ibrahimoviçin, dhe duke arritur barazimin 6 minuta para fundit, sërish me anë të suedezit. Ky barazim e lë Liverpulin 7 pikë pas Çelsit kryesues, kur janë luajtur 21 javë në Premier Ligë, ndërsa Junajtid është në vendin e gjashtë, me 40 pikë, plot 12 prapa bluve.

Ishte një ndeshje e ashpër dhe me nerva, nga të cilat nuk shpëtuan as dy trajnerët, Murinjo e Klop që nuk i dhanë dorën njëri-tjetrit në përfundim të takimit. Liverpuli ende mund të quhet pretendente për titull, me po aq pikë sa Totenhemi i vendit të dytë (që po shkëlqen), veçse Junajtid do ta ketë më të vështirë, edhe pse kualifikimi për në Champions duket i mundshëm.