Majemi “i plagosur” luftoi heroikisht, por Lebroni e Dejvisi ishin shumë!

Lejkërsat u afruan edhe një hap tjetër drejt lavdisë me fitoren e ndeshjes së dytë finale të NBA-së, ndonëse rivali nuk u dorëzua thuajse asnjëherë. Lebron Xhejmsi dhe Entoni Dejvisi treguan sërish se ç’mund të bëjnë dy yje kur bashkëpunojnë, ndërsa Majemi vuajti mungesën e përvojës, por edhe mungesën e dy prej lojtarëve më të mirë, Goran Dragiç e Bam Adebajo, që të dy të dëmtuar. Lejkërsat fituan 124-114, arritën të udhëhiqnin deri në 18 pikë epërsi, edhe me floridasit u afruan disa herë në 4 pikë në pjesën e dytë, dhe 9 pikë në periodën e katërt.

Lebroni shënoi 33 pikë dhe iu afrua një tripëll dabëlli me 9 topa në tabela e 9 asistë, plus 1 vjedhje topi e një bllokim gjuajtjeje. Entoni Dejvis realizoi 32 pikë, plus 14 topa në tabela, ndërsa mirë ishin Rondo me 16 pikë, apo Kuzma e Kalduell-Poup me nga 11. Tek Majemi shkëlqeu Xhimi Batler me 25 pikë, 8 topa në tabela e 13 asistë, Olinik pati 24 pikë e 9 topa në tabela dhe Tajlër Herro shtoi 17 pikë, 7 topa në tabela  e 3 asistë.

Sfidanti.al