Majemi, Asunsion, Emiratet e Bashkuara? Ku, finalja e Libertadoresit?!

Nuk dihet nëse do të luhet apo jo. Kupa Libertadores vërtet që rrezikon të ketë një fitues të vendosur në tavolinë, pavarësisht nëse mund të jetë Boka Juniorsi apo River Plejti. Federata e Futbollit e Amerikës së Jugut (CONMEBOL) mendon ta luajë jashtë Argjentinës ndeshjen e dytë fundore, dhe vendet e mundshme të propozuara janë Majemi në SHBA, Asunsion në Paraguaj si dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në këto të fundit do të organizohet Kupa e Botës për klubet, në 12-22 dhjetor, dhe aty do të marrë pjesë edhe fituesi i Libertadoresit.

Boka, për momentin, nuk dëshiron të luajë, dhe kërkon t’ia japin kupën në tavolinë, madje kërcënon se do të ndërmarrë hapa ligjorë. Është e ditur botërisht se finalja e dytë në stadiumin e Riverit, nuk u luajt dot të shtunën pas sulmit ndaj autobusit të Bokës nga ana e tifozëve vendas, me pasojë lëndimin e disa lojtarëve. Finalja nuk u luajt dot as të dielën, ndonëse stadiumi ishte plot me tifozë, sepse futbollistët e Bokës nuk pranuan.

Sfidanti.al