Ljuis Hamilton, talenti rebel që synon të sfidojë ligjet e sportit dhe të jetës

Çmimi i Madh i Britanisë ishte shpresa e tij e vetme. Gara e shtëpisë duhej të ishte jo vetëm një fitore, por edhe një sukses më përmasa jo të zakonshme. Ljuis Hamilton, më në fund, mund të jetë i kënaqur, pasi ndodhi pikërisht ashtu siç donte ai. Jo vetëm fitoi, duke barazuar rekordin e Silverstounit me 5 triumfe, po aq sa Xhimi Klark e Alen Prost, por edhe u kthye plotësisht në pretendimet për titullin botëror.

Diferenca e tij me Sebastian Fetelin është vetëm 1 pikë, dhe anglezi sikur dëshiron të sfidojë ligjet e sportit dhe të jetës. Sezonin e kaluar, ai e humbi titullin ndaj shokut të skuadrës, Niko Rosberg, thuajse plotësisht për faj të mënyrës së tij të jetesës. Jo respektim të regjimit, jetë nate, femra, padyshim edhe pije alkoolike. Këtë vit mund të jetë ndryshe, por jo plotësisht pasi, siç thotë populli, “huqi del me shpirtin”.

Gjithsesi, me 25 pikët e marrë në Silverstoun, dhe me çarjen e gomës së Fetelit në xhiron e parafundit, Hamilton është tani në kuotën e 176 pikëve, ndaj 177 të katër herë kampionit të botës, pilotit të Ferrarit. Mercedesi, për më tepër, i ka të dy pilotët në garë për kurorën, pasi Valteri Botas, që doli i dyti në Silverstoun, ka 154 pikë, pra 23 më pak sesa Fetel.

Hamilton mbetet pilot i rrallë edhe në statistika të tjera, pasi tani i duhet vetëm 1 fitore në “pole position” për të barazuar legjendarin Mikael Shumaher, me 68 fitore në provat zyrtare. Përsa i përket fitoreve, do ta ketë më të vështirë të barazojë gjermanin e madh, pasi ka 57 (i dyti në histori) ndaj 91 të Shumit.

Sfidanti.al