Lebron Xhejmsi “fluturon” drejt historisë në finalen e NBA-së!

Siç e ka për natyrë, përgjigjet kur e thërret rasti i madh, dhe për fatin e mirë të Lejkërsave, e fatin e keq të Denverit, Lebron Xhejmsi iu përgjigj edhe thirrjes së fundit. Me paraqitjen e jashtëzakonshmë në ndeshjen e pestë finale në Perëndim, ai siguroi fitoren e kalifornianëve, 117-107, dhe kalimin e tyre në finalen e NBA-së. Lebroni pati tripëll dabëll me 38 pikë, 16 topa në tabela e 10 asistë, ndërsa Lejkërsat fituan 4-1 duelin me Denverin.

Kishin kaluar 10 vjet që nga finalja e fundit e Lejkërsave, në epokën e Kobi Brajantit dhe Shakill O’Nillit, ndërsa kjo është pikërisht finalja e 10-të e Xhejmsit. Me këtë numër, ai bashkohet me Bill Rasëllin (12), Sam Xhonsin (11) dhe Karim Abdul-Xhabarin (10) si basketbollistët e vetëm me 10 finale apo më shumë. Po ashtu, ai ka rezultatin më të mirë në ndeshjet përcaktuese në plej of me shifrat 38-10, një statistikë që merr për bazë lojtarët që kanë luajtur të paktën 25 ndeshje të tilla.

Jo vetëm kaq, por Lebroni ka më shumë finale në mënyrë individuale sesa të gjitha skuadrat e NBA-së me përjashtim të Lejkërsave (32), Bostonit (21) dhe Golden Stejtit (11). Për të vazhduar me statistikat, Lebroni pati tripëll dabëllin numër 4 në plej of këtë vit, dhe për Lejkërsat i fundit që e kishte bërë, ishte Mexhik Xhonsoni në 1991. Po ashtu, Xhejmsi u bashkua me Xhejms Uorthin si lojtarët e vetëm të Lejkërsave me 30 pikë, 15 topa në tabela e 10 asistë në një ndeshje plej ofi.

Sfidanti.al