Lebron e Kërri janë kapitenët e Ndeshjes së Yjeve në NBA

Lebron Xhejms e Stefën Kërri do të jenë kapitenët. Natyrshëm, pasi dy yjet morën më shumë vota se të tjerët në Konferencat respektive, ndaj edhe do të udhëheqin skuadrat e tyre në Ndeshjen e Yjeve të NBA-së. Lebron mori sërish numrin më të madh të votave të publikut, plot 2 638 294 vota, duke lënë në vend të dytë një tjetër basketbollist të Lindjes, Janis Antetokumpon (2 530 211). Kërri ishte i pari në Perëndim me 2 379 494 vota, dhe la prapa shokun e tij të skuadrës tek Golden Stejti, Kevin Durant (2 238 406).

Gjithsesi, Ndeshja e Yjeve këtë vit do të jetë e veçantë, pasi skuadrat nuk do të jenë Lindja ndaj Perëndimit, por Skuadra Lebron ndaj Skuadrës Kërri. Dy kapitenët mund të zgjedhin lojtarët e tyre pavarësisht se në cilën konferencë luajnë, dhe Xhejms do të zgjedhë i pari meqë ka marrë më shumë vota.

Yjet e përzgjedhur janë Janis Antetokumpo, Kajri Irving, DeMar DeRozan, Xhoel Embid, Xhejms Harden, Kevin Durant, Entoni Dejvis dhe Demarkus Kouzins. Këta do të jenë titullarët, ndërsa në 23 janar do të përcaktohen edhe rezervat. Ndeshja e Yjeve në NBA do të luhet në 18 shkurt në “Stejpëlls Sentër” në Los Anxhelos.

Sfidanti.al