Kori e filloi legjendën e saj, do ta fitojë Uimbëlldonin, 15-vjeçarja?!

Suksesi ndaj Venus Uilliamsi mund të quhet fundi i një epoke dhe fillimi i një tjetrë. Kori Gof (Gauff) hyri në historinë e Uimbëlldonit, së pari si më e reja teniste që merr pjesë në kohën “Open”, dhe së dyti duke tejkaluar 24 vite diferencë në moshë për të mundur një nga idhujt e saj, pikërisht Venusin. Mund të quhet “e kryer” mbyllja e epokës së motrës së madhe Uilliams, por pyetja është nëse do të ketë një “Epokë Gof”?

“Unë dua që të jem më e mira në botë, – tha 15-vjeçarja amerikane pasi triumfoi 2-0 me sete në fushën qendrore të Uimbëlldonit, – babai im ma thoshte këtë që kur isha 8 vjeç, por unë nuk e besoja. As sot nuk jam 100 për qind e sigurt, por dua të fitoj çdo ndeshje dhe të fitoj Uimbëlldonin”. Kori i mori setet 6-4 e 6-4 në 79 minuta lojë ndaj Venusit, pesë herë fituese në barin e Londrës.

Natyrisht, nuk do të jetë e lehtë për vajzën amerikane, që quhet edhe Koko, për t’u bërë një kampione e madhe. E shkuara ka shembuj shkurajues si Xhenifer Kapriati, Donald Jang apo kroatja Ana Konjuh. Kështu që, ajo do ta marrë dalë nga dalë, duke vazhduar jetën e saj normale dhe familjare, me babain si trajner dhe mamanë si mësuese që e shkollon në mënyrë private në shtëpi.

Sfidanti.al