Konte thotë se edhe sherri është i bukur mes Lukakut e Brozoviçit

Kur bëri llogaritë për skuadrën që i dhanë në dorë, nxorri disa përfundime. Kërkoi me ngulm tek Interi Romelu Lukakun, por edhe Sensin e Barelën. Këmbënguli që të largoheshin Ikardi e Perishiç, ndërsa vlerësoi shumë Marcelo Brozoviçin, ashtu si edhe disa të tjerë. Antonio Konte duket se nuk krijoi dyshime për dy të përzgjedhur, Lukakun e Brozoviçin, edhe pasi këta gati u zunë me grushta në dhomën e zhveshjes pas ndeshjes ndaj Sllavias së Pragës në Champions.

Derbi i dha të drejtë dhe trajneri i Interit theksoi se edhe sherret sikur janë të bukur kur ndodhin mes këtyre dy lojtarëve. “Uroj që të kem probleme të tilla nga lojtarë të tillë, – tha ai, – janë njerëz të shkëlqyer, madje janë më të mirë sesa duhet, ndonjëherë në fushë duhet të jesh edhe i keq”. Tekniku zikaltër thotë se është normale të ketë acarime pasi nga ambicia dhe dëshira për fitore, vlon gjaku në damarë. “Edhe unë kam pasur sherr me një shok skuadre, por më pas dolëm për darkë së bashku dhe miqësia jonë u bë edhe më e fortë”, – tregoi Antonio.

Konte mendon se Lukaku dhe Lautaro Martinez, dy sulmuesit e tij, kanë nevojë të “latohen” edhe më shumë, “të përpunohen” (essere lavorati), tha ai, dhe kjo do t’i bëjë edhe më të mirë.

Sfidanti.al