Klop, shumë i qartë me Solskjerin: Ishte vërtet një ndeshje m…!

Kurrë nuk i kanë munguar batutat dhe asnjëherë nuk është druajtur për të qenë i drejtpërdrejtë. Jurgen Klop ka respektin e shumëkujt edhe prej kësaj, dhe nuk përtoi ta shfaqte anën e tij të veçantë në fund të ndeshjes (së mërzitshme) Mançester Junajtid-Liverpul.

Sapo gjyqtari Majkëll Oliver sinjalizoi përfundimin, trajneri gjerman shkoi të takonte kolegun e tij, Ole Gunar Solskjer, dhe i tha diçka. Në epokën e kamerave të stërfokusuara fjalët merren vesh menjëherë, aq më tepër që Klopi nuk vuri dorën përpara gojës.

“Analiza shkencore” e ekspertëve televizivë nxorri përfundimin se ai lëshoi një batutë me mjaft “piper”, që përfundonte me fjalët “çfarë ndeshjeje m… që ishte”. Nuk dihet se cila ka qenë përgjigja e trajnerit norvegjez të Junajtidit.

Klopi vlerësoi se skuadra e tij humbi një mundësi për t’u shkëputur tri pikë nga Mançester Siti. “Ashtu siç u luajt, Junajtidi fitoi një pikë, ndërsa ne humbëm dy, – tha ai, – nuk po ankohem, por thjesht po them atë që pashë. Në fund të fundit, unë pranoj të marr atë që më japin djemtë e mi”.

Sfidanti.al