Klivlendi mund Bostonin, por Lebron ende nuk bind plotësisht!

Nuk qe e lehtë të ktheheshin në normalitet. Kampionët e NBA-së patën një pjesë të parë pabesueshmërisht të dobët në ndeshjen e katërt finale të Konferencës Lindore, dhe ishte frika se mund të humbisnin përsëri. E gjitha kjo, pasi Klivlendi shpërdoroi 21 pikë epërsi në ndeshjen e tretë ndaj Bostonit, pasi luajti një pjesë të dytë aq të dobët sa nuk mund të mendohej.

Sëlltiksët, rekordmenët e titujve në basketbollin amerikan, provuan ta barazonin rezultatin e shifrave në 2-2 duke kryesuar me 10 pikë në çerekun e parë, po me 10 pikë edhe në çerekun e dytë dhe duke qenë në epërsi deri pranë fundit të çerekut të katërt. Kjo, pavarësisht se basketbollisti më I mirë I tyre, Tomas, nuk ishte sërish në parket. Katër lojtarë titullarë e zëvendësuan atë siç duhet, duke shënuar nga 15 deri në 19 pikë.

Gjithsesi, Lebron Xhejms nuk e kishte thënë fjalën e fundit. As Kajri Irving. Së bashku me Kevin Lovin, ata treguan se një skuadër e madhe di të reagojë në momentet më të vështira, duke arritur në fund suksesin 112-99. Irving shënoi 42 pikë, një rekord personal në plej of, Lebron realizoi 34, ndërsa Lov shtoi edhe 17 pikë të tjera, duke kapur 17 topa në tabela.

Vendasit kaluan në avantazh kur kishin mbetur vetëm 13 minuta lojë, pas dy gjuajtjeve të lira të Xhejmsit, dhe nuk u mbërritën më. Kavaliersët tani kryesojnë 3-1 në serinë finale të Konferencës, dhe u duhet edhe një fitore për t’u shpallur kampionë në Lindje, dhe për të arritur në finalen e madhe të NBA-së. Atje I pret skuadra më e mirë e sezonit deri tani, Golden Stejti.

Sfidanti.al