Kishe fituar ndonjëherë kështu Pep? Sa “i keq” 3-pikëshi ndaj Çelsit!

Statistikat nuk gënjejnë dhe nuk kishte ndodhur kurrë që Guardiola të arrinte një sukses në një ndeshje kampionati, në mënyrën sesi ia doli këtë të shtunë. Mançester Siti vërtet triumfoi 2-1 ndaj Çelsit në “Etihad” dhe mbajti (më në fund) ritmin e Liverpulit, por pati vetëm 46.74 për qind të zotërimit të topit. Kjo shifër, në pamje të parë, e çfarëdoshme, është tepër e veçantë, pasi është niveli më i ulët i mbajtjes së topit nga një skuadër e Guardiolës në 381 ndeshje të kampionateve të ndryshëm, ku ai ka marrë pjesë. Pra, në La Liga të Spanjës, Bundesligë dhe në Premier Ligë. Në shumicën dërrmuese të rasteve, ekipet e katalanasit kanë pasur epërsi në zotërim topi ndaj kundërshtarëve.

Gjithsesi, më shumë rëndësi se gjithçka tjetër ka fakti që u morën 3 pikë, që u kapërcye Çelsi në renditje, dhe që Liverpuli mbeti 9 pikë larg, jo më shumë. Siti e nisi shumë keq ndeshjen, apo më mirë blutë e Londrës e nisën shumë mirë, duke dominuar e duke kaluar në avantazh me anë të francezit Ngolo Kante. Më pas, miqtë gabuan dhe ishin pa fat kur Kevin De Brujni shënoi pas një devijimi, due barazuar rezultatin. Rijad Mahrez shënoi golin e dytë për vendasit, me një aksion individual, ndërsa Aguero goditi shtyllën. Pjesa e dytë ishte më e qetë, Siti u mbajt, ndërsa Rahim Stërlingut iu anulua një gol në fund.

Sfidanti.al