Keniani Kipçoge shkruan historinë, vrapon maratonën për herë të parë, nën 2 orë!

Nuk ishte një garë zyrtare, por hyri gjithsesi në histori. Një nga maratonat më të veçanta të të gjitha kohëve u vrapua në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, me kenianin Eliud Kipçoge që e përfundoi itinerarin në më pak se dy orë. Saktësisht, 34-vjeçari mbërriti në finish me kohën 1h59’40 sekonda, duke u bërë i pari njeri që vrapon distancën prej 42 km e 195 metrash në më pak se 2 orë.

Rekordi i jashtëzakonshëm i Kipçoges nuk do të njihet nga Federata Botërore e Atletikës, pasi vrapimi u krye me ndihma që nuk lejohen në garat zyrtare të saj. Keniani pati 41 atletë ndihmës, të cilët zëvendësonin rregullisht njëri-tjetrin sipas një plani të përcaktuar që më parë. Ai po ashtu, u ndihmua nga teknika moderne, të cilat nuk përdoren në garat normale. Gjithsesi, arritja ishte me rëndësi të pamatshme.

“Sot jam njeriu më i lumtur në botë, – tha Kipçoge pas garës, – më duket sikur kapërceva ylberin. Është e pamundur të shpreh mirënjohjen për mbështetjen që kam marrë nga të katër anët e botës. Dua t’iu falenderoj të gjithëve. Unë doja të tregoja se njeriu nuk ka limite dhe se çdo njeri mund të arrijë atë që duket si e pamundur”.

Në vendin e tij, Kenia, qytetarët e ndoqën me interes garën e tij dhe u lumturuan pa masë që ai e realizoi objektivin. Presidenti i vendit, Uhuru, bëri një përgëzim dhe një falenderim për të, në një dalje direkte televizive, duke e quajtur atletin si model për qytetarët e Kenias.

Nuk dihet sesa ka qenë rekordi i parë i maratonës, ai i vendosur nga ushtari grek që lajmëroi fitoren ndaj persëve, gati 2 500 vjet më parë, por dihet se rekordi i Olimpiadës së parë moderne ishte 2h58’50” në 1896, vendosur nga greku Spiridon Luis.

Në më shumë se 120 vjet, koha është ulur vazhdimisht me thuajse një orë. Kipçoge, heroi i Vjenës, ka gjithashtu rekordin zyrtar të maratonës, me kohën 2h01’39” vendosur në Maratonën e Berlinit vitin e kaluar.

Sfidanti.al