Katër gola pa Ibrën? Dakord Milan, por Leçe nuk është prova e së vërtetës!

Këtë sezon, poker në portën e një rivali e kishte bërë vetëm në Kupën e Italisë, madje pas kohës shtesë. Këtë herë u duk ndryshe Milani i Stefano Piolit, me suksesin 4-1 në Leçe, a thua se papritur personaliteti i lojtarëve ndryshoi, dhe ata nuk patën nevojë për një “katalizator” si Zllatan Ibrahimoviç, që mbetet i dëmtuar.

Samu Kastijeho, Xhakomo Bonaventura, Ante Rebiç dhe Rafael Leao ishin autorët e golave, ndërsa puljezët vetëm mundën të barazonin përkohësisht me Marko Mankosunë me penallti. A mund të thuhet se ky Milan tani po bind? Mund të thuhet se skuadra reagoi për të treguar se mund të fitojë edhe pa Ibrën, ndërsa Pioli po punon si i tërbuar për t’u treguar drejtuesve se kot e kanë që duan Rangnikun, kur trajnerin fitues e kanë në shtëpi.

“Katër golat pa Ibrën janë sinjale të rëndësishëm, – tha Pioli, – Zllatani është themelor për ne, me të kemi vullnet e vendosmëri, por këtë herë gjetëm mënyra të tjera për t’ia dalë. Do të jetë një kampionat i shkurtër, dhe i lodhshëm, as mund të mendohet se do të luajnë të njëjtët, sa më shumë alternativa të kesh, aq më mirë”.

Gjithsesi, është herët të thuhet se Milani papritur u shërua nga të zezat e këtij sezoni, dhe se tani do të marshojë përpara. Leçe nuk ishte “bankoprova”. Gjithçka do të shihet që nga ndeshja e radhës me Romën, me kuqezinjtë që duan Ligën e Europës.  Milani ka 39 pikë, po aq sa Napoli, por që ka luajtur një ndeshje më pak. Për më tepër, kuqezinjtë kanë golaverazh negativ (32-35), diçka që as mund të mendohej dikur për një ekip me këtë emër.

Sfidanti.al