Jeta e vështirë e portierëve, Lehman pro Nojerit për Gjermaninë

Mark-Andre Ter Shtegen mund të jetë një gardian i madh, një mbrojtës i shkëlqyer i portës dhe të luajë për Barcelonën, të cilësuar si “Skuadrën Ëndërr” të shekullit të 21-të, por kjo mund të mos mjaftojë që të arrijë gjithçka në karrierë. Porta e Gjermanisë mbetet e mbyllur “me dryn” për të, dhe trajneri Joakim Lëv vazhdon t’i besojë postin e titullarit, rivalit të tij Manuel Nojer.

Në krah të portierit të Bajernit del edhe ish-numri 1 i Gjermanisë, Jens Lehman, që dikur ishte në portën e Arsenalit. “Manueli është më i mirë, – tha qartë Lehmani, që pati si rival një gjigand si Oliver Kahnin, – ai ka gjithçka, është i kompletuar, madje mua më pëlqen edhe arroganca e tij e lehtë”. Nojer luajti shumë mirë për Bajernin në Bundesligë, në fushën e Lajpcigut, duke e shpëtuar skuadrën kampione nga humbja.

Ter Shtegeni nuk e ka fshehur dëshpërimin dhe mërzitjen e tij duke deklaruar pas kthimit në Barcelonë se “udhëtimi në kombëtare, këtë herë, ishte një goditje e rëndë për mua”. Ai ishte në stol në ndeshjet ndaj Holandës dhe Irlandës së Veriut. Manuel Nojer u përgjigj se “unë po bëj gjithçka shumë mirë”.

Sfidanti.al