Jehona e Kroacisë çmend botën: Tani, duam titullin botëror!

Pritja mori fund, radhën e pati harbimi. Kroacia e gjitha, që nga Zagrebi, Spliti, Dubrovniku apo çdo qytet tjetër u dha pas një entuziazmi që po e bënte të çmendej. U mund Anglia dhe, në stadiumin “Luzhniki”, në Moskë, futbollistët festuan jo me presidenten, por këtë herë me kryeministrin.

“Kurrë nuk kam parë një ekip kaq të bashkuar sa ky, – theksoi kapiteni Modriç pas suksesit, – merituam gjithçka, por nuk duam të ndalemi këtu. Gjithsesi, nuk mund të festojmë gjatë. Na pret ndeshja më e vështirë në Botëror”. “Futbollistët e mi nuk janë normalë, –  ishin fjalët e trajnerit Daliç, – nuk është fitorja ime, por e tyre. Besoj se kemi edhe një hap për të bërë. Ende nuk jemi të ndërgjegjshëm se çfarë kemi bërë, po as bota nuk është e ndërgjegjshme se çfarë mund të bëjë Kroacia”.

Mediat mezi gjetë fjalët për të kushedi sesatën herë. “Jutarnji List”: Ne jemi kroatë! Të zjarrtët në finale, kombi në delir! “Veçernji List”: Fitore historike! Kroacia, një dashuri që nuk mund të shuhet!  “Sllobodnja Dalmacija”: Finalja do të jetë e zjarrtë, por që do të thotë edhe finalja do të jetë e jona! “Sportske Novosti”: Ëndërroni, ëndërroni, ëndërroni! Kroacia në finale të Botërorit!

“L’Ekip”: Fantazmat! Njëzet vjet pas gjysmëfinales së humbur me ne, kroatët na dalin përpara në finalen e Botërorit!  “Marka”: Kroacia mbërrin në Hënë! Një vend me vetëm 800 futbollistë profesionistë, lë botën me gisht në gojë! “La Gazeta delo Sport”: Finale italiane! Perishiç e Manxhukiç rrëzojnë Anglinë. Në Moskë do të jemi edhe ne!

Rrjetet sociale shpërthyen me tallje. Në një fotomontazh jepej Mbretëresha Elizabeta II veshur me fanelën e Kroacisë. Një foto tjetër kishte Mario Manxhukiçin dhe diçiturën “Brexit”. Fotoja tjetër, “ja mëngjesi i anglezëve, dhe ja mëngjesi i kroatëve”!

Sfidanti.al