Igli Tare: Titulli? Kur ndërtova këtë Lacio, nuk e përjashtova!

Për trajnerin Simone Inzagi, Seria A mund të pretendohet sepse momenti është i tillë, dhe sepse skuadra e tij nuk ka asgjë për të humbur. Igli Tare, duke qenë më larg fushës, padyshim tregohet më i guxishëm. “Kur ndërtova këtë Lacio, nuk e përjashtova fitoren e titullit, – ishin fjalët e drejtorit sportiv nga Shqipëria, madje që përpara fillimit të ndeshjes ndaj Interit, – më vjen mirë që Jurgen Klopi ka thënë se Lacio do ta fitojë titullin. Gjithsesi, mesa kam lexuar unë, Klopi ka thënë se nuk e ndjek futbollin italian, ndaj nuk e di nga e ka nxjerrë këtë përfundim”.

Tare nuk deshi të veçonte ndonjë lojtar të caktuar, ndonëse përmendi ata që thanë gazetarët, si Luis Alberto apo Kaisedo. “Ne kemi kohë që punojmë për këtë skuadër, – vazhdoi ai, – nëse punon për një kohë të gjatë vjen edhe shpërblimi, treguam durim në një rrugë të vështirë, pati nga ata që nuk besuan tek ne, por vazhduam në rrugën tonë. Jemi në një moment të mirë, që duhet ta përmirësojmë edhe më tej. Duhet të jetë pjesë e mentalitetit”.

Sfidanti.al