Hjuston vendos rekordin e ri, 27 kosha tripikësh në një ndeshje

Plot 8 lojtarë në fushë shënuan kosha nga distanca dhe rekordi i NBA-së u thye. Nga 26, tani janë 27 realizime tripikëshe në një ndeshje të vetme të basketbollit amerikan, dhe “vula” iu vu nga Hjuston Rokits. Xhejms Harden shënoi 5 nga 6 tentativat, veçse më i miri ishte Erik Gordon me 8 gjuajtje të sakta (nga 13). Edhe rekordin e mëparshëm e mbante po Hjustoni, që duket si skuadra më e specializuar në NBA për këtë element, edhe më e mirë sesa Golden Stejti.

Suksesi ishte i thellë, 149-113, ndaj Feniksit, dhe kjo tregon formën e mirë të skuadrës nga Teksasi. Harden shënoi 30 pikë, Erik Gordon 26 dhe qendra Klint Kapela pati 22. Hardeni pushoi gjatë gjithë periodës së katërt, për të qenë më i freskët për plej ofin. Plot 12 lojtarë shënuan pikë për skuadrën vendase që mban vendin e tretë në Konferencën Perëndimore dhe që shihet si rreziku numër 1 për Golden Stejtin, pavarësisht se Denveri është në vendin e dytë.

Sfidanti.al