Hamilton, një kampion që kërkon lavdinë dhe në moshën 34-vjeçare!

Ishte vënë në dyshim për shumë arsye. Ljuis Hamilton mund të jetë kampion i botës në fuqi, dhe pesë herë fitues i titullit, por kur mbush 34 vjeç nuk jep garanci si më parë. Gjithsesi, piloti anglez dha një demonstrim të aftësive të tij në nivelin më të lartë, duke dominuar plotësisht Çmimin e Madh të Spanjës në Formula 1.

Në timonin e Mercedesit, kaloi që në nisje shokun e skuadrës Valteri Botasin, dhe mori komandën që nuk do ta lëshonte më. Përballoi sfidën e finlandezit, gjithashtu me Mercedes, si dhe kapriçot e sportit, kur makina e sigurisë hyri në fushë pas një aksidenti, duke mos u lëkundur në asnjë moment.

Këtë herë, anglezi ishte thuajse i përsosur, ashtu si edhe makina e tij gjermane, ndërsa Mercedesi arriti të pestën fitore dyshe, në të 5 garat e Botërorit të zhvilluara deri tani. Veterani u ngjit sërish në krye të renditjes, duke rifituar statusin e favoritit për titullin e 6-të në karrierë, gjë që do ta ngjiste mbi Huan Manuel Fangion, e do ta linte vetëm një titull pas legjendës Mikael Shumaher.

Sfida nga Botasi do të vazhdojë, padyshim, por duket se Ferrari është dorëzuar përfundimisht. Skuadra italiane jo vetëm ishte shumë më e ngadalshme sesa Mercedesi, por u kalua bindshëm edhe nga Verstapen i Red Bullit, që doli i treti në Barcelonë dhe u ngjit në podium. Hamilton udhëheq renditjen me 112 pikë pas 5 garave, i ndjekur nga Botasi me 105.

Sfidanti.al