Hamilton, një fitore larg titullit, Fetel mbeti gati 1 xhiro pas!

Ishte një tjetër garë e dominuar nga Mercedesi dhe Ljuis Hamiltoni, dhe një tjetër ku nervat e lanë në baltë Sebastian Fetelin. Çmimi i Madh i Suzukës pati si përfundim jo vetëm fitoren e anglezit, por edhe faktin se nëse Hamilton triumfon edhe në SHBA (garën e ardhshme), ai do të shpallet sërish kampion i botës. Një përfundim logjik që tashmë duket i paracaktuar.

Mëkat për Fetelin që e nisi garën shkëlqyeshëm duke fituar 4 pozicione, e duke u ngjitur në vendin e katërt. Me dy makinat Mercedes në vendet e para, Ferrari të paktën tregoi se ishte konkurrues me to, veçse gjermani bëri një gabim fatal. Ai u nxitua të parakalonte Verstapenin duke mos pasur sigurinë e suksesit, dhe përfundoi jashtë piste në duel me pilotin e Red Bullit.

Kjo e zbriti në fund të “karvanit”, duke i dhënë fund çdo shprese. Pas parakalimeve të shumta ai u ngjit deri në vendin e 6-të, por mbeti mbi 40 sekonda prapa shokut të tij tek Ferrari, Raikonen, ndërsa e mbylli garën 1’09”873 pas Hamiltonit. Ironia e madhe e Suzukës ishte se xhiroja më e shpejtë e garës i takoi pikërisht Fetelit (1’32”318).

Kampioni i botës ka 331 pikë ndaj 264 të Fetelit, pra i mjafton fitorja në Ostin që të mbrojë titullin, dhe të shpallet për të pestën herë kampion i botës në Formula 1.

Sfidanti.al