Gola, frikë dhe VAR, Liverpul-Bornmuth i pati që të gjitha!

Është shumë e vështirë të ngrihesh pasi ke pësuar më shumë se një nokaut. Kjo vlen edhe kur quhesh Liverpul dhe je 22 pikë përpara rivalit më të afërt në renditjen e Premier Ligës. Skuadra praktikisht kampione e Anglisë u desh të kalonte nëpër një kalvar të vërtetë për të fituar tri pikët e para, pas humbjeve ndaj Atletikos në Champions, Uatfordit në kampionat dhe Çelsit në Kupën e Anglisë.

Pati protesta ndaj VAR-it për golin e shënuar nga Bornmuthi, ndërsa miqtë morën të parët avantazhin. Pati reagim të fortë nga të besuarit e trajnerit Jurgen Klop, që arritën të përmbysnin shifrat në më pak se 8 minuta, me anë të yjeve kryesorë të sulmit, si Mohamed Salah e Sadio Mane. Sulmuesi nga Mozambiku shërbeu topin për golin e parë, dhe pastaj realizoi të dytin, ndërsa me shifrat 2-1 u mbyll pjesa e parë.

Gjithsesi, vuajtjet nuk kishin përfunduar për Liverpulin, që ishte në fushë pa kapitenin Xhordan Henderson dhe portierin titullar, Alison, që të dy të dëmtuar. U desh një sakrificë e mesfushorit Xhejms Milner që të mos pësohej goli i dytë, kur anglezi e largoi topin thuajse në vijën fatale.

Më pas, të kuqtë ushtruan presion dhe merituan të fitonin më thellë, por nuk ia dolën. Padyshim, presioni ishte tepër i madh dhe mungesa e qetësisë nuk i la të mblidhin frytët e paraqitjes shumë të mirë. Van Dajk, Mane dhe Salah patën mundësi për të realizuar, madje u godit edhe shtylla.

Kur nuk shënon, e pësion, thotë aksioma e futbollit, dhe për pak kjo i ndodhi Liverpulit, kur Bornmuthi iu afrua sërish barazimit, por edhe gaboi vetë, edhe u ndalua nga gjyqtari për pozicion jashtë loje të dyshimtë. Fitorja ishte shumë e rëndësishme në prag të duelit të kthimit në Champions ndaj Atletikos, kur në “Anfild” duhet përmbysur rezultati 0-1, ndërsa portieri Alison mungon përsëri, por mund të kthehet kapiteni Henderson. Liverpuli kryeson Premier Ligën me 82 pikë kur duhen edhe 9 ndeshje deri në përfundim, duke pasur 25 pikë më shumë se Mançester Siti, që këtë fundjavë luan derbin në fushën e Mançester Junajtidit.