Gjokoviç me “shtatë shpirtra”, fiton Australian Openin e 8-të!

Ishte vërtet si një “mace”, pasi vuajti shumë, por ia doli të triumfonte sërish. Novak Gjokoviç e përforcoi edhe më tej famën e tij si tenisti që nuk dorëzohet kurrë, pasi fitoi Grand Slemin e Australian Openit në Melburn. Kampioni i madh serb, që do të jetë në vendin e parë në renditjen botërore që nga e hëna, mundi austriakun Dominik Tim (Thiem) pas pesë seteve, pra 3-2.

Gjokoviç fitoi setin e parë 6-4, por pastaj humbi dy të tjerët radhazi, 4-6 e 2-6, dhe u duk se kishte marrë fund. Nole u paraqit i lodhur fizikisht, me gabime të shumta në shërbim dhe i tensionuar, aq sa u përplas me gjyqtarin e ndeshjes. Sidoqoftë, përvoja e bëri që të mblidhte veten e të reagonte. Fitoi setin vendimtar të katërt, 6-3, dhe finalja në Arenën “Red Lejvër” u vendos në setin e pestë.

Kampioni në fuqi fitoi lojën e katërt me shërbimin e kundërshtarit, duke kryesuar 3-1, dhe këtë epërsi nuk e lëshoi deri në fund. Seti i pestë u mbyll 6-4, dhe Gjokoviç e fitoi Australian Openin për herë të 8-të, një rekord. Ai ka 17 Grand Sleme, duke vazhduar të jetë në vendin e tretë në renditjen e më të mirëve për të gjitha kohët. Rozher Federer kryeson me 20 Grand Sleme, dhe Rafael Nadal e ndjek me 19.

Sfidanti.al