Garën e rrjetave në Champions e fitoi Çelsi, por impresive ishte Barcelona!

Plot 28 herë u shënuan në 8 ndeshje të Ligës së Kampionëve mbrëmë në darkë, dhe “hambarin më plot e mbushi” Çelsi. Djemtë e Antonio Kontes vërtetuan edhe një herë se trajneri i tyre është si një kapiten i madh edhe në stuhinë më të frikshme, si ajo e krizës së kësaj vere. Si ndonjë Kolomb, Magelan a Vasko Da Gamë, edhe italiani po e drejton “anijen” e tij blu nga fitorja në fitore. Tre suksese radhazi në Premier, dhe një 6-0 në Champions, rezultati më i thellë i mbrëmjes.

Karabaku i respektuar i Azerbajxhanit, ndjeu ashtu si Shkëndija e Tetovës në “San Siro”, peshën e rëndë të një stadiumi të madh si “Stemford Brixhi” dhe të një kundërshtari të famshëm si Çelsi. Pedro, Zapakosta, Azpilikueta, Bakajoko, Baçuai dhe autogoli i Medvjedevit ishin autorët e rrjetave.

Garë me blutë bëri Paris SG, që ishte në pjesën veriore të ishullit kryesor britanik, në Gllazgou të Skocisë. Në “Sëlltik Park” mundi 5-0 ekipin vendas me të njëjtin emër. Nejmar, Mbape, Kavani, Lustig (autogol) dhe sërish Kavani tundën rrjetën për pretendentët e mëdhenj për fitoren finale.

Shumë në rregull Bajerni ndaj Anderlehtit (3-0, Levandovski, Tiago, Kimih) dhe Mançester Junajtid ndaj Bazelit (po 3-0, Felaini, Lukaku, Rashford), ndërsa gola shumë u realizuan edhe në fitoret jashtë fushe. Sportingu kaloi në Pire ndaj Olimpiakosit me shifrat 3-2 duke udhëhequr deri në 3-0, ndërsa CSKA e Moskës përmbysi 2-1 Benfikën me përvojë.

Sidoqoftë, pavarësisht gjithë këtyre lloj fitoreve, përshtypjen më të thellë e bëri Barcelona. Mesi dhe shokët e tij çmontuan 3-0 një kundërshtar shumë të fortë, nënkampionen në fuqi të Europës, Juventusin.

Sfidanti.al