Futbolli nuk i bën mirë nënave, vdes edhe një në Kroaci

Vite më parë, në Shqipëri u ndalua boksi sepse qeveria e asaj kohe (ndoshta viti 1962) nuk pranoi që të kishte vdekje për shkak të sportit. Mjaftoi një jetë e re në atë kohë në vendin tonë që boksi të ndalohej 30 vjet, ndërsa në futbollin botëror po vdesin njëri pas tjetrit dhe nuk po merren masat e duhura.

Një futbollist në Kroaci vdiq në fushën e lojës pasi u godit fort me top në gjoks, në një tragjedi të radhës të lojës më popullore të botës. Bruno Boban iu shtua listës së fatkeqëve, vetëm pak ditë pas shuarjes së kapitenit të Fiorentinës, Davide Astori. Edhe për të, ashtu si për italianin, do të ketë varrim madhështor, fjalime dhe lule, por thelbi mbetet: Përse duhet të lejohen vdekjet?

Çfarë duhet të bëhet që fjalët “futboll” dhe “vdekje” të mos kenë lidhje me njëra-tjetrën? Apo mos vallë, fitimi i bosëve të klubeve dhe televizioneve, si dhe ëndrrat për t’iu larguar varfërisë duke u bërë lojtar profesionist, do të jenë më të forta sesa vullneti për të siguruar jetët?

Boban luante në kategorinë e tretë të Kroacisë, për Marsonijan, ndërsa ishte në ndeshje kundër Pozhega Slavonijes. Vëllai i tij, Gabrieli, luan në Ligën e Parë të Kroacisë me Osijekun, ndërsa ata janë të afërm të ish-yllit të madh të Jugosllavisë dhe Kroacisë, Zvonimir Boban.

Sfidanti.al