Fraza për napolitanët, ka stuhi ndaj gazetares së Skajit, D’Amiko!

Ajo nuk e ka pranuar se ka gabuar, por besohet se do të kërkojë falje. Zakonisht, kështu shkon, pasi të detyron edhe kompania për të cilën punon, dhe “Skaj Sporti” nuk besohet se nuk do të marrë masa për rastin e Ilaria D’Amikos, komentatores së njohur që lëshoi një batutë me pasoja.

“Amsterdami pati një vigjilje të një ndeshjeje gati partenopeo, me shumë dhe fishekzjarrë për të shqetësuar kundërshtarët”, ishin fjalët e Ilarias në prag të ndeshjes së Championsit, Ajaks-Juventus. Fjala “partenopeo” përdoret në Itali si sinonim i napolitanëve, një fjalë historike, ndërsa fjalia e gazetares së Skajit solli reagime të shumta, duke nisur nga njerëz me pozitë në Bashkinë e Napolit, e duke vazhduar me tifozët. “Redaksia duhet të kërkojë falje për fjalët e gazetares D’Amiko që ofendojnë gjithë napolitanët”, – ishte kërkesa e tyre.

D’Amiko deklaroi se sulmet ndaj saj janë të organizuara, dhe se ajo i ka dashur gjithnjë Napolin dhe tifozët e tij, gjë që mund të provohet nga komentet e saj në transmetim, por gjithsesi “stuhia” vazhdon. Me siguri, redaksia e “Skaj Sportit” do ta detyrojë D’Amikon që të kërkojë falje për fjalët e saj të pamenduara mirë.

Sfidanti.al