Ferrari zgjodhi Sainzin pas mrekullisë në Brazil në 2019: Nga i 20-ti, në podium!

Maranelo e famshme i është kthyer punës. Ferrari vendosi të rinisë prodhimin në punishten e saj të dëgjuar në të gjithë botën, pasi më e keqja e koronavirusit kaloi, veçse skuadra e Formula 1 ka edhe të reja. Vetëm një ditë pas lajmit se katër herë kampioni i botës, Sebastian Fetel, do të largohet, vjen e reja se u gjet zëvendësuesi, dhe ky është spanjolli Karlos Sainz.

“Kokëkuqja” nuk vonoi ta njoftonte lajmin në faqen e saj zyrtare në Instagram. “Skuadra e Ferrarit është e lumtur që të njoftojë se Karlos Sainz do të garojë për ekipin tonë në sezonet 2021 e 2022 të Kampionatit Botëror të Formula 1”, shkruhej në njoftim. Sainz nuk është një pilot edhe aq i ri, pasi ka 5 vjet në këtë Botëror, por nuk ka arritur të shkëlqejë për shkak se nuk ka pasur makinat më të mira.

Spanjolli 25-vjeçar ka garuar në timonin e Toro Rosos, Renosë dhe Meklarenit, ndërsa do ta provojë Ferrarin vitin e ardhshëm. Drejtori i italianëve, Matia Binoto, u shpreh i lumtur me ardhjen e tij. “Sainz ka treguar aftësi teknike dhe karakter të tillë që e bëjnë profilin ideal për të qenë pjesë e jona, – tha ai, – është jo vetëm një pilot shumë i mirë, por edhe një njeri i vërtetë skuadre. Kemi dyshen më të re të pilotëve në 50 vjet, një çift për ta ngjitur sërish Ferrarin në krye”.

Vetë Sainz nuk të ishte ndryshe përveçse entuziast. “Jam shumë i lumtur që do të garoj për Skuderinë e Ferrarit në 2021, dhe jam i emocionuar për të ardhmen time në skuadër, – shkruajti ai në Instagram, – i lumtur që më jepet mundësia për të qenë pjesë e këtij emri të madh. Unë kam ende një vit të rëndësishëm me Meklarenin dhe jam i përkushtuar të jap maksimumin për ekipin tim këtë sezon”.

Sainz ka zhvilluar 102 gara në Formula 1 që nga viti 2015, duke fituar 267 pikë, e duke arritur një podium. Kjo ndodhi vitin e kaluar, në Çmimin e Madh të Brazilit në Interlagos, kur ai u nis nga vendi i 20-të dhe përfundoi i treti, në një nga pilotimet më të shkëlqyera në historinë e këtij sporti.

Sfidanti.al