Elis Bakaj “kap” Championsin në moshën 32-vjeçare, shqiptari kalon tek Dinamo e Brestit!

Futbollin europian e provoi, por këtë herë është në maksimum. Elis Bakaj do të luajë në Champions sezonin e ardhshëm, pasi gjeti skuadrën e tij të re në Bjellorusi. Sulmuesi shqiptar firmosi kontratë 2-vjeçare me Dinamon e Brestit, kampione e Bjellorusisë, ndërsa u largua nga Shahtjori i Soligorskut.

Një hap më lart në karrierën e lojtarit që ishte një nga më të dalluarit e Premier Ligës bjelloruse, dhe me përvojë të madhe pasi luajti për Partizanin, Dinamon, Tiranën, Vllazninë e Kukësin në Shqipëri, si dhe për Dinamon e Bukureshtit, Çornomorecin e Odesës, Hapoelin e Raananës si dhe RNK Splitin jashtë vendit.

Dinamo e Brestit doli kampione e Bjellorusisë për herë të parë në historinë e saj, duke ndërprerë hegjemoninë e BATE-s së Borisovit që e kishte fituar titullin 13 herë radhazi. Vetë Bakaj arriti në vendin e tretë me Shahtjorin e Soligorskut, dhe ndihmoi ekipin që të kualifikohej për në Ligën e Europës.

Ai shënoi 10 gola në sezonin e fundit, atë të vitit 2019, duke qenë sërish një nga lojtarët më të mirë, dhe një nga 7 golshënuesit më të mirë të edicionit në Premier Ligë. Në total, në 49 ndeshje të kampionatit, ai realizoi 19 rrjeta për Shahtjorin, ndërsa në moshën 32-vjeçare ndihet sërish në formën më të mirë. Bakaj ka luajtur 27 ndeshje për kombëtaren dhe ka shënuar 1 gol.