Duam apo nuk duam, biznesi e bën futbollin një sfilatë mode!

Udhëtimi drejt Ukrainës ishte i lodhshëm, edhe pse futbollistët e Mançester Sitit tërhoqën vëmendjen ende pa dalë në fushë ndaj Shahtarit në Champions. Telekamerave, fotoaparateve dhe gazetarëve u kapi syri menjëherë një ndryshim, diçka që nuk ka të bëjë aspak me taktikën, teknikën apo përgatitjen fizike e psikologjike. Jo, futbolli dhe sporti janë më shumë se kaq.

Mançester Siti bëri figurë që kur doli nga hoteli, kur shkoi në aeroport dhe mori avionin me kostumin e ri për lojtarët dhe trajnerët. Gjithçka ishte e njëjtë dhe vërtet e shkëlqyer, që nga këpucët e zeza elegante, pantallonat gri të cilësisë së lartë, golfet me ngjyrë të errët dhe xhaketat me nuancë të veçantë.

E vetmja gjë që u diskutua menjëherë ishte stema e klubit e stampuar në pjesën e shpinës së xhaketës dhe pyetja e tabloidëve nuk mund të mungonte: A do ka kalojë kjo stemë provimin e modës? Padyshim, që kostumi ka kaluar disa teste derisa është miratuar, duke qenë pjesë e biznesit të futbollit, reklamimi i kompanive të mëdha botërore të veshjeve, në kuadër të përfitimeve financiare apo thjesht atyre teknike.

Sfidanti.al