Dibala? Totenhemi gati “sulmin” për yllin e Juventusit

Presidenti i “Gjelave” të Londrës nuk mbahet nga ata me dorë të lëshuar. Një biznesmen më shumë se gjakftohtë, Daniel Levi, gjithsesi duket se do të jetë më “i nxehtë” këtë verë, pasi pohoi se ka ndërmend ta forcojë Totenhemin në të gjithë sektorët. Nënkampionët e Europës kanë kohë pa bërë blerje, të zënë ngushtë nga shpenzimet për stadiumin, por tashmë trajneri Maurisio Poçetino, nuk do të kënaqet me pak.

Një objektiv duket se është Paulo Dibala, ylli tepër i vlerësuar, por edhe shumë i diskutuar i Juventusit. Argjentinasi u la në hije sezonin e kaluar, ndoshta nga prania e Kristiano Ronaldos, dhe diskutohet si një lojtar që mund të largohet nga kampionët e Italisë. i vlerësuar në rreth 90 milionë euro, ai pëlqehet nga shumë klube në Europë, ndonëse jo kushdo mund t’i paguajë këto para.

“Ne tani e kaluam prioritetin për stadiumin, – tha Levi, – shpenzuam 1 miliardë paundë stërlina dhe ai është gati. Tani duhet të forcojmë skuadrën dhe unë dua që të forcohet në çdo repart. Natyrisht, nuk ndjej aspak urgjencë që të veproj si disa nga rivalët që po shpenzojnë shuma të mëdha, por as ne nuk kemi frikë të shpenzojmë”.

Sfidanti.al