Dhimbja e ndalon Federerin  në Cinçinati, Nadali do të jetë nr.1

Fituesi i shtatëfishtë i turneut të mjeshtrave në Cinçinati, Rozher Federer, njoftoi, se ai është tërhequr nga ky turne, për shkak të dhimbjeve në shpinë që ndjeu gjatë ndeshjes finale në Montreal, ku ai humbi në finale ndaj gjermanit Aleksandër Zverev. Tërheqja e Federerit do të thotë se, gjatë ditëve të ardhshme, kur të publikohet ranglista e re e ATP-së, tenisti nr.1 i botës do të jetë spanjolli Rafael Nadal, pavarësisht nga rezultati që ai do të arrijë në turneun e mësipërm. Nadali do të arrijë që ta kalojë Endi Marein (finalist i vjetshëm në Cinçinati), duke qenë se ai, për shkak të një dëmtimi, nuk do të marrë pjesë në turneun e Cinçiantit.

Të dy tenistët e lartpërmendur, Federer dhe Marei, vendosën që të pauzojnë, me qëllim që ta marrin veten deri më 28 gusht, kur fillon turneu US Open.