Dëmtimi i Iskos, por edhe leksioni nga dëmtimi i Asensios!

Zinedin Zidan është i shqetësuar sepse Realit të tij mund t’i mungojë për disa kohë një nga “pjesët” më të rëndësishme. Isko Alarkon është i dëmtuar dhe kjo do të thotë se futbollisti ofensiv mund të mungojë të paktën 3 javë, e pikërisht në momentin më të nxehtë të sezonit, ndërsa sonte në orën 22:00, madrilenët përballen me Sociedadin në fushën e baskëve. Gazeta “Marka” thekson se ky dëmtim i prish jo pak planet e trajnerit francez, por gjithsesi, në të njëjtin edicion të së përditshmes spanjolle, merret një leksion për mënyrën sesi shkojnë punët tek Reali.

“Marka” shkruan për një dokumentar për Marko Asension, lojtarin që gjithashtu ka pasur një dëmtim serioz, por që tani është kthyer në ekip. Asensio, një nga lojtarët e formuar në Akademinë e Realit, thekson se nga kjo periudhë e vështirë nxorri një përfundim për të vlerësuar lart aspektin njerëzor të presidentit Florentino Perez. “Florentinon e veçoj për aspektin njerëzor, – shprehet Asensio, – kjo gjë e dallon nga presidentët e tjerë”. P.sh., e dallon nga presidenti i Barcelonës, Bartomeu, të cilin mesa duket nuk e duan as yjet e skuadrës së vet.

Sidoqoftë, dëmtimi i Iskos është problem, sepse Zidani ka tani vetëm 5 mesfushorë të pastër, Modriçin, Krosin, Kasemiron e Valverden, pa llogaritur Hames Rodrigezin që nuk luan që prej 6 shkurtit.

Sfidanti.al