CSKA e Fenerbahçe, finalistët e vjetshëm fitojnë në Euroligë!

Jo më kot diskutuan vjet finalen e madhe të Euroligës. Dy skuadrat më të mira të sezonit të kaluar e nisën me fitore fazën çerekfinale të kompeticionit. CSKA e Moskës dhe Fenerbahçe e Stambollit nuk gabuan në ndeshjet e para të serive që fitohen nëse arrin 3 suksese. Skuadrat ishin njëlloj të forta, por triumfet ishin krejt të ndryshme. CSKa luajti në Arenën e vet në Moskë, në prani të 7 000 tifozëve fanatikë, veçse e pati shumë të vështirë ndaj Baskonias së Spanjës.

Skuadra baske luftoi pikë më pikë, madje edhe kryesoi 90-88 pranë fundit, por sërish humbi 90-98. Millosh Teodosiç shënoi 22 pikë për rusët, shërbeu 5 asistë dhe vodhi 4 topa ndaj kundërshtarëve duke qenë më i miri i mbrëmjes. Serbi pati në krah francezin Nando De Kolo që shënoi 17 pikë, ndërsa mirë luajti Kori Higins, Aron Xhekson dhe rusët Nikita Kurbanov e Vitali Frixhon. Për baskët, shkëlqeu amerikani Shejn Larkin me 17 pikë.

Shumë më e vështirë, por shumë më imponuese fitorja e Fenerbahçes. Turqit e nisën aspak si favoritë ndaj Panathinaikosit, me ndeshjen e parë në Pallatin e Sportit “Paqja e Miqësia” në Athinë. Mbi 18 000 tifozë ishin në krah të “jeshilëve” që kryesuan deri 10 minuta para fundit, por humbën 58-71. Fatale përballja me ish-trajnerin e madh, Zheljko Obradoviç që synon më në fund një titull kampion me Fenerbahçen. Trajneri serb u ndihmua pikërisht nga dy lojtarët serbë, Bogdan Bogdanoviç (23 pikë) dhe Nikola Kaliniç (16 pikë).

Sfidanti.al