Çeferini sfidon virusin: Futbollin nuk e ndryshoi dot lufta, tifozët do kthehen!

Kjo botë ka njohur kohë më të vështira. Luftërat botërore ishin ku e ku më keq sesa epidemia e koronavirusit, por futbolli e rinisi aty ku e la, pa ndryshuar as edhe një presje. Kjo është edhe bindja e presidentit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin, i cili është optimist se çdo gjë do të jetë shpejt, siç ka qenë më parë. Ashtu siç loja më popullore në botë e mori veten pas Luftës së Parë dhe asaj të Dytë Botërore, Çeferini nuk ka dyshim se kjo do të ndodhë sërish. Kjo, pavarësisht se shumica e kampionateve është ndërprerë, dhe se ndeshjet kanë rinisur pa tifozë, aty ku është guxuar të luhet.

“Situata është serioze, – pohoi Çeferini duke folur për të përditshmen britanike, “Gardian”, – por, duket se po kalon dalë nga dalë, dhe ne po tregohemi më të kujdesshëm. Ne dimë më shumë për virusin, dhe në përgjithësi, unë jam një njeri optimist. Unë nuk i pëlqej fare versionet apokaliptike se duhet të presim për një valë të dytë, apo të tretë, apo edhe të pestë. Njeriu vdes një ditë, por nuk duhet ta mendojmë kështu”.

Bundesliga gjermane ishte e para nga ligat e mëdha të Europës që u rikthye në fushë, dhe java e parë u duk një sukses. Gjithsesi, pa spektatorë, dhe ka parashikime se kjo gjendje mund të zgjasë një vit. “Ne jemi gati, – thotë Çeferini, – dhe do të ndjekim porositë e autoriteteve, por jam absolutisht i sigurt se futbolli i mirë i dikurshëm, me tifozë në stadium, do të kthehet shumë shpejt”. Hera e fundit që u luajt me publik ishte në mars, ndërsa ende ekziston frika se kjo mund të shkaktojë një tjetër valë të koronavirusit.

Sfidanti.al