Ç’e gjeti Spanjën e Luis Enrikes? 21 gjuajtje në portë, por humbje në Ukrainë!

Nuk po flasim për zotërimin e topit se jo gjithnjë tregon epërsinë e skuadrës, por përpjekjet u bënë veçse pa rezultat. Spanja pësoi një humbje të rëndë në fushën e Ukrainës, aty ku Gjermania fitoi para pak ditësh 2-1, duke hapur gjithçka në grupin 4 të Ligës së Kombeve. Një gol i Cigankovit në minutën e 76-të i dha fitoren vendasve në “Stadiumin Republikan” të Kievit, ndërsa kur shikon statistikat shastisesh fare. Spanja bëri 21 gjuajtje drejt portës, ndaj 2 të vendasve, dha 702 pasime (282 Ukraina), mbajti topin 72 për qind, por sërish humbi.

“Spanja shtin në ajër”, shkruan me të drejtë e përditshmja “AS”, që thekson se ishte gabimi i portierit De Gea që ndihmoi ekipin e Shevçenkos që të fitonte. Në minutat e fundit u hodh në sulm edhe Sergio Ramos, por pa rezultat. Në të vërtetë, nga formacioni duket një Spanjë me shumë ndryshime që do kohë të bëhet skuadër e vërtetë: De Gea, Navas, Ramos, Regilon, Torres, Merino, Rodrigo, Kanales, Rodrigo, Traoe, Fati. Spanja kryeson grupin me 7 pikë ndaj 6 të Gjermanisë dhe të Ukrainës, pra gjithçka është e hapur. Pas ndeshjes, Rodri theksoi se “na mungon një golshënues”.

Sfidanti.al