Brazili, fanelë në kujtim të lavdisë dhe tragjedisë me Uruguajin

Kishte plot 69 vjet që kjo nuk ndodhte, që do të thotë një ndryshim epokal. Brazili do të kthehet tek fanela e bardhë, që do të jetë uniforma e tij e dytë në Kupën e Amerikës, turne që do të luhet këtë verë pikërisht në tokën braziliane. Federata e Brazilit vendosi për këtë bluzë për të nderuar 100-vjetorin e fitores së kombëtares në Kupën e Amerikës në 1919, në suksesin në finale ndaj Uruguajit, luajtur në Rio De Zhaneiro dhe vendosur nga goli i vetëm i sulmuesit të famshëm Fridenrajh (Friedenreich), në minutën e 122-të.

Gjithsesi, fanela ka edhe anën e saj tragjike, pasi u vesh për herë të fundit në Kupën e Botës 1950 luajtur po në Brazil, që përfundoi me humbjen 1-2 në finale gjithashtu ndaj Uruguajit. Pasi finalja u quajt tragjedi kombëtare, fanela e bardhë doli nga qejfi dhe nuk u vesh më kurrë nga “selesao”. Interesant fakti që trajneri Tite vendosi që lojtari që do ta reklamonte këtë bluzë do të ishte Vinisius Zhunior i Realit, ndonëse ai nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje me Brazilin!

Sfidanti.al