Bogdanoviçi dhe Marjanoviçi dërgojnë Serbinë në finalen e Eurobasketit!

Më i miri i ndeshjes ishte një rus, por finalen e siguruan serbët. “Vendi i basketbollit”, siç e quan veten Serbia, u kualifikua në një tjetër finale të madhe, në atë të Europianit. Nënkampionët olimpikë dhe të botës në fuqi mundën Rusinë 87-79 në një përballje të fortë gjysmëfinale, por që u udhëhoq gjatë gjithë kohës nga ballkanasit. Bogdan Bogdanoviç dhe Boban Marjanoviç ishin dy protagonistët vendimtarë për ekipin e trajnerit Aleksandar Xhorxheviç, duke zhbërë paraqitjen e madhe të Aleksei Shvedit për Rusinë.

Shved shënoi 33 pikë dhe shërbeu 5 asistë, por pati ndihmë të paktë nga shokët e ekipit. Voronceviç shtoi 14 pikë, ndërsa Timofei Mozgov (lojtar i NBA-së) shënoi 11 dhe kapi 9 topa në tabela. Tek tabelat, dominues ishte Marjanoviç (2.22 metra shtatlartë), edhe ky lojtar i NBA-së, që shënoi 18 pikë, kapi 6 topa aty, shërbeu 4 asistë dhe bllokoi një gjuajtje të kundërshtarëve. Bogdanoviç shënoi 24 pikë, kapi 3 topa në tabela, shërbeu 4 asistë dhe i vodhi 2 topa rusëve. Një basketbollist 24-vjeçar që besohet se do të shkëlqejë tek Sakramento Kings në NBA.

Serbia kryesoi vazhdimisht, deri në +16 (57-41), por Rusia nuk u dorëzua. Përfaqësuesit e vendit më të madh të botës u afruan në 52-57 dhe pastaj në 73-75, duke qenë fare pranë kalimit në avantazh. Gjithsesi, serbët patën aq përvojë sa të mos dorëzoheshin dhe tani do të luajnë finalen ndaj Sllovenisë. Kjo është finalja e gjashtë europiane për Serbinë pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në 1991 dhe e para që nga viti 2009. Serbët kanë dalë 3 herë kampionë të kontinentit, dy herë kampionë të botës në 1998 e 2002, nënkampionë të botës në 2014, kampionë olimpikë në 1996 dhe nënkampionë olimpikë në 2016.

Sfidanti.al