Bill Rasëlli, legjenda e NBA-së me 11 tituj, dhe që mundi racizmin!

Këto ditë kur sporti nuk ka punë, që do të thotë se nuk luan e thuajse as nuk stërvitet, mediat merren me historinë, me krahasimet dhe jehonën për legjendat e vjetra. Një prej tyre renditi disa nga gjenitë që ndryshuan rrjedhën e kohës, të tillë si Majkëll Xhordan, Diego Armando Maradona, Bejb Ruth, apo edhe ndonjë tjetër, por pa harruar Bill Rasëllin. Pikërisht, ditët e sotme kur është rindezur debati për basketbollistin më të mirë në histori (Majkëll Xhordan apo Lebron Xhejms), vlen të theksohet se Rasëlli ishte superkampioni i parë i NBA-së. Edhe pse nuk arriti nivelet e pikëve të Xhordanit, Brajantit, Karim Abdyl Xhabarit apo Lebron Xhejmsit, sërish ai ishte një fitues i lindur, që mori 11 tituj kampion në 13 vjet, një rekord në NBA.

Një gjigand prej 2.17 metrash, ai triumfoi në një kohë racizmi, diçka që Xhordani apo Lebroni nuk mund as ta imagjinojnë. Rasëllit i qëlloi që ta përndiqnin bashkë me familjen kur ishte fëmijë, që babai i tij të përballonte Ku Kluks Klanin, që atij t’i mohohej dhoma e hotelit apo vendi në restorant edhe kur ishte yllin numër 1 i kampionatit, dhe që studentët e bardhë ta vërshëllenin në ndeshjet e Universitetit. Ai triumfoi ndaj të gjithave këtyre, duke qenë fituesi më i madh në historinë e NBA-së. Asnjë lojtar tjetër nuk ka fituar më shumë tituj se ai, madje as ndonjë trajner, dhe vetëm Fil Xheksoni ka po aq sa ai, 11.

Rasëlli ishte aq krenar dhe aq i papërkulur në parimet e tij, saqë nuk ia fali as tifozëve të Boston Sëlltiksit. Ai thoshte se “ne luajmë për Sëlltiksin, jo për Bostonin”, “unë nuk dua t’u buzëqesh apo t’u jap autografe tifozëve”, “Arena jonë nuk mbushet plot sepse në ekipin tonë ka shumë zezakë”. Pasi disa tifozë sulmuan dhe dhunuan shtëpinë e tij, Bill Rasëlli tha se “Bostoni është një fole racizmi”. Madje, edhe ceremoninë e tërheqjes së fanelës dhe futjes në Sallën e Lavdisë (Holl of Fejm – Hall of Fame), ai e deshi në Arenën bosh. Kohët e fundit, raportet janë përmirësuar për të dyja palët.

Sfidanti.al