Bajerni kupton se nuk ka dalë ende kampion, 1-1 me Shalken!

Nuk mjafton vetëm besimi, dhe as epërsia në lojë. Futbolli ka nevojë për sakrificë sublime që një ndeshje të fitohet, dhe kjo vlen edhe kur në lojë është Bajerni i Mynihut. Kampioni dhe kryesuesi i Bundesligës, u ndal në fushën e vet nga një skuadër që gjithmonë e ka pasur rivale, por që po paraqitej shumë dobët këtë sezon.

Shalke mori një barazim 1-1, që i vlen më shumë për moral në një ndeshje që shpesh është cilësuar “derbi gjerman”, ndërsa Bajernit ky rezultat mund t’i prishë shumë punë. Edhe pse Robert Levandovski vazhdoi serinë e tij të golave, madje që në minutën e 9-të, nuk ishte dita e duhur për të përzgjedhurit e trajnerit Karlo Ançeloti.

Naldo barazoi vetëm 4 minuta më vonë dhe, edhe pse kishte gati 80 minuta për t’u luajtur, sërish bavarezët nuk ia dolën ta gjenin sërish avantazhin. Kjo do të thotë se humbën mundësinë për të mbajtur distancë të rëndësishme me Lajpcigun, gjithsesi, i vetmi rival që mund t’ia rrezikojë titullin.

Sulmet e furishme të minutave të fundit, me Levandovskin, Tomas Mylerin, Robenin, Komanin, Lahmin apo Dagllas Kostën nuk dhanë rezultat dhe Shalke pati nerva të forta këtë herë.

Në përballjet e tjera, fitore të rëndësishme të Borusias së Mynshengladbahut, Këlnit, Hertës dhe sidomos Hofenhajmit që e la pas humbjen e parë pas një viti, pësuar nga Lajpcigu.

Rezultatet: Bajern-Shalke 1-1, Borusia M.-Frajburg 3-0, Këln-Volfsburg 1-0, Herta-Ingolshtat 1-0, Hofenhajm-Mainc 4-0. Renditja: Bajern 46, Lajpcig 42, Hofenhajm 34, Herta 33, Këln 32, Frankfurt 32.shalke anceloti